Fondacioni Real Madrid ka njoftuar organizimin e një kampi futbolli 5-ditor në Shqipëri për djemtë dhe vajzat e moshës 6-12 vjeç. Në prezantimin e këtij aktiviteti ishte i pranishëm ish-futbollisti dhe ambasadori i Real Madridit, si dhe trajneri i ekipit U19, Alvaro Arbeloa. Ai ka pozuar me fanellën e Los Blancos që mban emrin e Shqipërisë.
Në bashkëpunim me GK Sport, Fondacioni Real Madrid ka përgatitur programin që do të mbahet në Tiranë. Kjo është hera e parë që Fondacioni Real Madrid viziton Shqipërinë për një kamp të tillë stërvitor, i cili do të zhvillohet në ambientet sportive të Shtëpisë së Futbollit, duke pritur 75 pjesëmarrës. Një trajner nga Fondacioni do të udhëtojë drejt Shqipërisë për të vëzhguar nga afër të rinjtë e përzgjedhur, të cilët do të kenë një eksperiencë unike.
Ky kamp stërvitor ofron mundësinë për të zhvilluar aftësitë e tyre futbollistike përmes trajnimeve specifike nën drejtimin e trajnerëve që kontribuojnë në akademinë e “Los Blancos”. Në rast se delegatët e Real Madridit identifikojnë ndonjë element premtues, atyre mund t’u jepet mundësia të katapultojnë veten në Madrid për të testuar veten.
Rreth Fondacionit Real Madrid
Fondacioni Real Madrid, përmes projekteve të tij socio-sportive, kërkon të promovojë integrimin dhe përfshirjen sociale të fëmijëve dhe të rinjve në situata të cenueshmërisë përmes sportit. Me prezencë në vende të ndryshme të botës, Fondacioni përdor futbollin si mjet edukimi dhe vlerash, duke promovuar stile jetese të shëndetshme dhe zhvillim personal tek të rinjtë.